Shkencë gjuhësore

VEPRA SHKENCORE E MARTIN CAMAJT NË FUSHËN E GJUHËSISË1

Walter BREU dhe Hans-Jürgen SASSE

Veprimtaria shkencore e Martin CAMAJT në lëmin e gjuhësisë përfshin kryesisht punime mbi gjuhën e shkruar shqipe dhe historinë e saj, si dhe studime dialektologjike mbi arbërishten. Parë nga këndvështrimi sinoptik të gjitha punimet në fjalë u shërbejnë një qëllimi shkencor të mbirenditur, i cili përkon me dokumentimin dhe interpretimin e varieteteve më domethënëse historike të gjuhës shqipe. Hulumtimi dhe trajtimi i pasurisë së pashtershme të varieteteve të gjuhës së tij amtare përbënte për CAMAJN, si diakronist e filolog, ashtu si dhe në cilësinë e gjuhëtarit përshkrues, një çështje të dorës së parë, në kuadrin e së cilës i kushtoi një rëndësi të veçantë nxjerrjes në pah të lidhjeve midis formave të vjetra e të reja gjuhësore.

Në vija të trasha veprimtaria shkencore e Martin CAMAJT në fushë të gjuhësisë mund të ndahet në tri periudha kërkimore, të cilat pjesërisht shkrihen në njëra-tjetra. Fillesat shënohen prej punimeve mbi tekstet e hershme në gjuhën shqipe. Studimet e periudhës pasuese i kushtohen kryesisht historisë së gjuhës, ndërsa duke u nisur nga fundi i viteve ’60 interesi i tij shkencor u zhvendos tërësisht mbi hulumtimet dialektologjike mbi arbërishten, me të cilat ishte marrë që prej kohës kur ndiqte studimet në Itali. .


1. Studime mbi gjuhën e shkruar shqipe dhe historinë e saj

1.1.Hulumtimet mbi librin më të hershëm në gjuhën shqipe, Mesharin e Gjon BUZUKUT (1555), përbënin objektin e punimit të doktoraturës së Martin CAMAJT, i cili u botua në Romë në vitin 1961 me titullin Il „Messale“ di Gjon BUZUKU2. Ky është dhe studimi i parë shkencor gjuhësor mbi këtë tekst të rëndësishëm të shkruar në shqipen e vjetër. Pasuan punime të tjera mbi dëshmi të hershme në gjuhën shqipe: Jeronim DE RADAS "Scander¬becccu i pa-faan" (Der glücklose Skanderbeg)3, , Ein Brief in albanischer Sprache aus Gashi vom Jahre 16894 dhe Ein albanischer Satz aus dem Jahre 14835. Së fundmi, në vitin 1977 doli në dritë një botim i Cuneus Prophetarum të Pjetër BOGDANIT6. Qëllimi i deklaruar i punës mbi tekstet e autorëve të hershëm ishte ravijëzimi i një forme gjuhësore të shqipes së vjetër, tiparet dialektore të së cilës ende nuk dëshmonin diferencimin e theksuar në „gegërisht“ dhe „toskërisht“, shih në lidhje me këtë çështje punimin Il problema dello studio dei testi antichi albanesi in rapporto coi dialetti (1964)7.

1.2.Hulumtimi i dëshmive të hershme të gjuhës shqipe e shtyu gradualisht Martin CAMAJN të përqendrohej mbi studimin e prehistorisë së saj. Transferimi i tij në Munih dhe emërimi i atjeshëm si lektor për gjuhën shqipe pranë Institutit te Gjuhësisë të Universitetit Ludwig-Maximilian i krijuan kushtet e duhura për mundësimin e një formimi indoeuropianistik. Në të njëjtin universitet kreu dhe habilitimin (1964). Vepra e tij më e rëndësishme gjatë kësaj periudhe, krahas disa punimeve të përmasave8 më të vogla, është pikërisht puna e habilitimit Al¬banische Wortbildung.9. Në të gjitha studimet e tij mbi historinë e gjuhës shqipe del qartazi në pah përpjekja për të plotësuar traditën dominuese atomiste - në indoeuropianistikën e atëhershme - të hulumtimeve në rrafshin leksikologjik me përfshirjen edhe të rrafsheve të tjera gramatikore. Më tepër se etimologjia atë e interesonte gjeneza e fenomeneve gramatikore, e varianteve morfologjike dhe alternimeve. Gjithmonë i prirë prej idesë së kryerjes së hulumtimeve gjuhësore krahasuese jo vetëm me qëllim rikonstruktimin e indoeuropianishtes, por para së gjithash për të hedhur dritë mbi gjuhën shqipe, ai u përpoq të përimtonte zhvillimet brenda shqipes si dhe tendencat e zhvillimeve të mëtejshme historike.

Në përputhje me sa u tha autori vë në plan të parë të punimit të habilitimit fenomene të tilla si formimin e emrave të përbërë, e në mënyrë të veçantë ndikimin për analogji të modeleve apofonike dhe të fjalëformimit me parashtesa, të cilat bazohen mbi parimet themelore fjalëformuese që karakterizojnë evoluimin brendagjuhësor të shqipes. Mbijetesa e apofonisë shpjegohet me anë të një sistemi theksimi të levizshëm dhe funksional, siç haset sot rëndom në çifte si kalë/ kual (fq. 87-88). Në këtë mënyrë, ndërsa forma e njëjësit e emrit rreth rrjedh prej *rat-iá, ajo e shumësit rrathë rrjedh prej ràt-ia. Marrëdhënie të ngjashme hasen dhe në litauishte (fq. 137). CAMAJ arrin të identifikojë një morí parashtesash me funksion fjalëformues, të cilat i përkasin një shtrese më të vjetër të shqipes, si p. sh. kër- te -kër-bot-ull-, ku -botë- është rrënja, -lë-- te -lë-mashk- prej rrënjës -mashk-, -b- - te -burith- prej rrënjës -urith- etj.. Parashtesat në fjalë mund të rrjedhin prej parafjalësh apo ndajfoljesh (fq. 94 e vazhdim) ashtu si dhe prej rrënjësh përemërore dëftore (fq. 100 e vazhdim). .

1.3. Në rrafshin gjuhësor historik Martin CAMAJ hulumtoi edhe dukuri të kontaktit gjuhësor e të huazimeve gjuhësore. Një nga punimet e para në këtë drejtim është artikulli Zur Entwicklung der Nasalvokale der Slavischen Lehnwörter im Albanischen (1964)10. Kontaktit gjuhësor midis shqipes veriore e të folmeve malazeze jugore i kushtoi studimin Lautliche Parallelentwicklungen in montenegrinischen und nordalbanischen Mundarten (1966)11. Përpos këtyre ai nxori në dritë dhe një punim mbi huazimet me prejardhje latine të gjuhës shqipe (1968)12. Më poshtë, në kapitullin e dytë, do të jepen dhe disa të dhëna mbi studime të tjera të CAMAJT në lëmin e dialektologjisë italoshqiptare, ku shtjellohen dhe dukuri të lidhura me kontaktin gjuhësor.

Pakënaqësia për rezultatet pamjaftueshme të shënuara prej hulumtimeve shkencore të indoeuropianistikës mbi çështje të historisë më të re të shqipes, për të cilat CAMAJ interesohej në veçanti, e shtyu atë – prej vitit 1967 - ta braktisë përsëri dhe thuajse tërësisht indoeuropianistikën. Shumë më tepër filluan ta tërhiqnin studimet dialektologjike italoshqiptare, të cilave CAMAJ iu përkushtua tërësisht.


2. Dialektologjia italoshqiptare

Përshkrimi i dialekteve shqiptare në Itali përbën për Martin CAMAJN një prej fushave gjuhësore më të begata, të cilës iu dedikua qysh në zanafillat e veprimtarisë së tij kërkimore duke i kushtuar për më se tri dekada një varg ekspeditash shkencore. Ai iu fut kësaj pune në një kohë kur udhëtimi në fshatrat italoshqiptare paraqiste ende shumë vështirësi dhe studimet ekzistuese mbi dialektet në fjalë ishin tejet të rralla. Në fillimet e kërkimeve të tij shkencore në Itali CAMAJT nuk i mungoi mbështetja dhe inkurajimi i mësuesit dhe shokut të tij Ernest KOLIQI, asokohe ordinarius për albanologji në Romë. Më tej, në vitet që pasuan, qe vetë CAMAJ ai që Munih, në cilësinë e të vetmit profesor për albanologji në RFGj, formoi një varg shkencëtarësh, të cilët vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive në fushën e arbërishtes. Në këtë prizëm duhen përmendur dhe lidhjet e ngushta që pati me katedrat e albanologjisë në Kozencë e Palermo.

Rezultatet e punës së CAMAJT me arbëreshët pasqyrohen në një sërë monografish dhe artikujsh, ndër të cilët duhen përmendur në veçanti punimet dialektologjike mbi të folmet e fshatrave Greci (Katundi) në provincën e Avelinos, Falconara Albanese (Fallkunara) në provincën e Kozencës dhe San Costantino Albanese (Shën Kostandini) në provincën e Potencës. Në studime të përmasave më të vogla, si p. sh. Il bilinguismo nelle oasi linguistiche albanesi dell'Italia meridionale13 apo Per una tipologia dell'arbëreshe14 përimtohen çështje të karakterit të përgjithshëm mbi vendin e arbërishtes dhe funksionet e saj në ditët tona, ose vihet në plan të parë përshkrimi i dialektit përkatës, si p. sh. te punimi Zur al¬banischen Mundart von Barile in der Provinz Potenza15, apo te monografitë e sipërpërmendura.

2.1. Përshkrimi i parë i detajuar i Martin CAMAJT mbi një dialekt arbërisht doli në dritë në vitin 197116 dhe mban titullin La parlata albanese di Greci. Në 120 faqet e këtij studimi shpaloset në mënyrë të ngjeshur një përshkrim i përgjithshëm i kësaj të folmeje shqipe, e vetmja në krahinën e Kampanjës. Në kuadrin e punimit në fjalë CAMAJ është i pari që vë në përdorim medodat strukturaliste në një fushë që deri atëherë ishte lëvruar pothuajse tërësisht me metoda tradicionale dhe impresionistike. Qëllimi i tij kryesor ishte paraqitja e dialektit si një sistem gjuhësor i mëvetësishëm me anë të përshkrimit të të gjitha rrafsheve gramatikore, në të cilat një vëmendje të veçantë i kushtoi fjalëformimit të pjesëve të eptueshme të ligjëratës dhe leksikut. Por në mënyrë të veçantë duhet vënë në dukje pjesa fonetike-fonologjike, e cila çel veprën pas një përshkrimi të shkurtër mbi gjendjen në Katund, mbi të dhënat empirike e përftimin e tyre, si dhe mbi gjendjen e studimeve dialektologjike në fushë të shqipes. Në vijim të traditës albanologjike të C. HAEBLERIT17 e të tjerëve CAMAJ përdori për herë të parë në një studim dialektologjik mbi arbërishten alfabetin fonetik ndërkombëtar (IPA), të cilin vazhdoi ta përdorte dhe në punimet vijuese. ....

2.2. Përshkrimi i dialektit të Fallkunarës20 doli në dritë vetëm gjashtë vjet pas botimit të monografisë mbi të folmen e Katundit. Gramatika e dialektit paraprihet prej një analize shumëfaqëshe të kushteve jashtëgjuhësore mbizotëruese në fshatin arbëresh dhe përfshin dhe të dhëna historike dhe etnologjike. Më tej vijon një sërë vëzhgimesh thelbësore mbi dygjuhësinë dhe mbi ndikimet e kontaktit gjuhësor mbi arbërishten, të cilat vlejnë dhe përtej kufijve të Fallkunarës. Ashtu si në monografinë mbi të folmen e Katundit përshkrimi i dialektit të Fallkunarës zë fill me një analizë të hollësishme fonetiko-fonologjike, në të cilën nuk lihet pas dore as alofonia apo fonotaktika. ...

2.3. Monografia më e fundit e CAMAJT është përshkrimi i dialektit të Shën Kostandinit22, që ndodhet gjeografikisht në provincën e Potencës (Bazilikata), por që në këndvështrimin e mirëfilltë gjuhësor lidhet tejet ngushtë me të folmet italoshqiptare të provincës së Kozencës. Ky dialekt ishte dhe i pari prej atyre arbërisht me të cilin pati të bënte CAMAJ. Ai kreu hulumtime shkencore mbi të për më se tri dekada. Vepra në fjalë u përshëndet e u prit me interes të veçantë nga dialektologët që studiojnë të folmet shqipe të Italisë. Edhe në këtë punim autori ndjek në thelb metodën e tij strukturaliste. Por, duke qënë se ai kishte për qëllim që libri në fjalë të ishte i kuptueshëm edhe për amatorët e gjuhësisë e të përshtatej në mënyrë të veçantë për t’u përdorur për mësimdhënien e arbërishtes ndër shkolla, CAMAJ u përpoq të nxjerrë në plan të parë thjesht paraqitjen e fakteve gramatikore, ndërkohë që shtjellimet gjuhësore shkencore, ashtu si dhe moria e krahasimeve me dialekte të tjera italoshqiptare, apo përshkrimi i variacionit të kushtëzuar prej kontaktit gjuhësor dhe përkatësisë brezore, gjejnë vend në shënimet në fund të faqes. Në këtë mënyrë shpjegohet dhe zgjerimi i dukshëm i aparatit të teksteve, ashtu si dhe përdorimi i drejtshkrimit të shqipes standarde, ndërsa transkriptimi në alfabetin fonetik ndërkombëtar përdoret vetëm për të vënë në dukje detaje të veçanta fonetike. Komentet krahasuese dhe gjuhësore historike në këtë monografi janë në përgjithësi më të hollësishme se sa në monografitë pararendëse të kësillojshme. E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për shtjellimin e funksioneve të kategorive gramatikore. Sipas mendimit të CAMAJT dialekti i Shën Kostandinit mund të renditet ndër të folmet më konservative. ...

2.4. Martin CAMAJ është shembulli i lëvruesit të palodhur të studimeve italoshqiptare. Në këtë mënyrë ai kreu mbledhjen e materialit empirik të nevojshëm për një përshkrim të së folmes së S. Nicola dell’Altos (Shin Koghi) në provincën e Katanxaros, të cilin presim të dalë në dritë së shpejti. Le të vihet në dukje në këtë pikë fakti se përveç respektit që gëzon CAMAJ ndër kolegë për punimet e tij dialektologjike, ai është nderuar dhe jashtë ambienteve profesionale universitare akademike. Kështu, në vitin 1991 komuna e Katundit i akordoi titullin qytetar nderi.


3.  Libri Albanian Grammar

Qysh në vitin 1969 shtëpia botuese Harrassowitz në Wiesbaden pati nxjerrë në treg librin Lehrbuch der albanischen Sprache, dalë prej pendës së Martin CAMAJT, e cila paraqet një prej metodave të para moderne për mësimin e gjuhës shqipe. Fill pas kërkesës që iu bë për të ripërpunuar librin në fjalë CAMAJT i lindi ideja e konceptimit të një libri të ri në të cilin të paraqitet një sintezë e rezultateve shkencore që kishte arritur në të gjitha fushat ku kishte kryer kërkime gjuhësore. Me anë të këtij projekti ai donte të vinte në jetë idenë e përpilimit jo vetëm të një gramatike të gjuhës së sotme të shkruar shqipe, por – dhe aq më tepër – të një hyrjeje në dokumentimin e varieteteve më të rëndësishme të gjuhës shqipe për historinë e saj. Kështu lindi vepra e thukët Albanian Grammar23.

Qëllimi i kësaj vepre 337-faqëshe është: "to present a complete picture of the language in its three most important variants: Geg, Tosk and Arbëresh. Viewed metho¬dologically, the contrasts among the three are presented here not only in the lexicon, but in all elements of the grammar, in order that an insight into the basic structure of the language (here also termed Common Albanian) may be obtained" (fq. VII). ). Një rol kyç për arritjen e këtij objektivi luajnë shënimet që plotësojnë pjesën kryesore, e cila është konceptuar në formën e një gramatike krahasuese (gjuhë moderne të shkruara - gegërisht-toskërisht). Shënimet në fjalë përbëjnë burime informacionesh të detajuara mbi varietetet e dëshmuara në tekstet shqipe të autorëve të vjetër, si dhe te format e ndryshme gjuhësore të arbërishtes. Ato përmbajnë edhe të dhëna me vlerë mbi klasifikimin e dukurive të shqyrtuara në paragrafët e veçantë sipas përkatësisë dialektologjike apo gjuhësore historike. Kombinimi funksional i pjesës kryesore me shënimet mundëson ravijëzimin e një përimtimi gjithëpërfshirës mbi rëndësinë dhe rolin historik të varieteteve të veçanta dhe të marrdhënieve midis tyre, si në këndvështrimin diakronik, ashtu dhe në atë diatopik. Në këtë mënyrë, për shembull, në faqen 103 jepet në fillim, në përputhje me shqipen standarde, lakimi i lidhjes emër + përemër pronor, ndërkohë që teksti kryesor përmban dhe disa të dhëna mbi variante të gegërishtes. Informacionet e mëtejshme mbi dimensionin diakronik janë shtuar në shënimin përkatës (fq. 104), në të cilin ravijëzohen tiparet divergjente të lakimit në shqipen e vjetër dhe në arbërisht, si dhe paraqiten paradigma të plota të shembullit në shqipe të vjetër. Në këtë mënyrë krahasohen për çdo paragraf tri varietetet e sotme (gjuha standard, toskërishte “e pastër”, gegërishte moderne) me shqipen e vjetër dhe arbërishten. Duhet vënë në dukje se arbërishtja, një varietet tejet pranë shqipes së vjetër, paraqitet në krah të gegërishtes dhe toskërishtes. Albanian Grammar, njëkohësisht metodë mësimi me ushtrime, krestomaci e glosar, si dhe hyrje shkencore në gjithë fushat e rëndësishme të gjuhës, përbën një mjet pune tejet të përshtatshëm për mësimdhënien dhe jep një përshkrim të thukët të gjuhës shqipe.

Me Albanian Grammar Martin CAMAJ nxori në dritë një vepër monumentale, e cila për sa i përket konceptimit të saj si një metodë mësimore, përbën një risi të mirëfilltë. Në kuadrin e përplasjeve dhe kontrasteve të pandërprera mbi shqipen standarde gramatika në fjalë mund të luajë në një farë mënyre një rol udhërrëfyes, për arsye se në të mishërohet botëkuptimi se “uniteti” i gjuhës shqipe - që në të shihet në dimensionin e saj historik, pra nga një pikënisje krejt e ndryshme nga ajo që niset normëzimit gjuhësor - nuk do të thotë eliminim i varieteteve, por zgjerimi i njohurive mbi shumëllojshmërinë historike dhe dialektore të saj.

Vendi i veçantë që iu rezervua në Albanian Grammar dialekteve italoshqiptare justifikohet me tiparet konservatore që paraqitin ata. Pra fakti që veprimtaria shkencore e Martin CAMAJT pikërisht në lëmin e arbërishtes ishte tejet intensive është një ogur i mirë, sepse ai në këtë mënyrë pati mundësi të vërë në mënyrë të plotë në shërbim të gjuhësisë rezultatet shumëplanëshe të punës së tij kërkimore.


Botimet gjuhësore të Martin CAMAJT24
1956
Prilog poznavanju grafije Gjon Buzuka, në: Godišnjak Balkanoloskog Instituta, fq. 203-211


1959
Për vokalin nasal te Buzuku, në: Shêjzat III, fq. 163-173


1960
I pari kongres ndërkombtar i djalektologjis së përgjithëshme (në bashkëpunim me Ernest Koliqin), në: Shêjzat IV, fq. 219-222


1961
Il “Messale“ di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi, Roma


1962
Vepra e fundit e Ivan Popovic dhe çêshtja e prejardhjes së Shqiptarvet, në: Shêjzat VI, fq. 236-239


196
4 Il problema dello studio dei testi antichi albanesi in rapporto coi dialetti, në: Communications et rapports du I Congrès International de Dialectologie générale, Louvain


1964
Jeronim De Rada për gjuhësinë shqipe, në: Shêjzat VIII, fq. 332-336 Nji vepër me randësi e dialektologjisë shqipe: Ajeti, Idriz (1961): Istorijski razvitak govora Arbanasa kod Zadra, Sarajevo, në: Shêjzat VIII, fq. 69-70 Polak, Vaclav (1963): Balkanische Zusammenhänge und etymologische Forschungen des Albanischen, Zeitschrift für Balkanologie 1-2, në: Shêjzat VIII, fq. 138 Polak, Vaclav (1963): Les origines de la différentiation en Albanie, Orbis 2, në: Shêjzat VIII, fq. 138 Vepër postume e Jokl-it (1963): Die Verwandtschaftsverhältnisse des Albanischen zu den übrigen indogermanischen Sprachen, Zeitschrift für Sprachwissenschaft IX/ 2, në: Shêjzat VIII, fq. 139 Zur Entwicklung der Nasalvokale der Slavischen Lehnwörter im Albanischen, në: Die Kultur Südosteuropas, ihre Geschichte und ihre Ausdrucksform, München-Wiesbaden, fq. 18-25


1965
Haebler, Claus (1965): Grammatik der albanischen Mundart von Salamis, Wiesbaden: Otto Harrassowitz, në: Shêjzat IX, fq. 430-442 Tagliavini, Carlo (1963-1964): Gli ‘etnici’ dei paesi albanesi d’Italia, Atti dell’Istituto Veneto di Scienze, Lettere ed Arti, në: Shêjzat IX, fq. 429-430


1966
„Ich bin“ und „ich habe“ im Albanischen, në: Beiträge zur Südosteuropa-Forschung, fq. 41-47 Albanische Wortbildung. Die Bildungsweise der älteren Nomina, Wiesbaden Drei Briefe von Demetrio Camarda am Gustav Meyer, në: Beiträge zur Südosteuropa-Forschung, fq. 465-72 Kongresi i balkanologvet në Sofje, në: Shêjzat X, fq. 289-90 Lautliche Parallelentwicklungen in montenegrinischen und nordalbanischen Mundarten, në: Die Welt der Slaven 11, fq. 115-24


1967
(1966): Beiträge zur Südosteuropa-Foeschung. Anlässlich des 1. Internationalen Kongresses in Sofia, München, në: Shêjzat XI, fq. 163-164 Die albanischen Benennungen für den Kern der Baumfrüchte, në: Münchner Studien zur Sprachwissenschaft, fq. 5-10 Jeronim DE RADAS "Scander¬becccu i pa-faan" (Der glücklose Skanderbeg), në: Studia albanica Monacensia, München, fq. 68-75 Ein Brief in albanischer Sprache aus Gashi vom Jahre 1689 (në bashkëpunim me Peter BARTLIN), në: Zeitschrift für Balkanologie 5, fq. 23-33


1968
Gurakuqi, Karl (1967): Grammatica albanese dell’uso moderno, Palermo, në: Shêjzat XII, fq. 124-125 Jotierung des albanischen gj und q (Zur Schichtung der lateinischen Lehnwörter im Albanischen), në: Editions de l’Académie Bulgare des Sciences, Sofia, fq. 837-840 Osservazioni sullo sviluppo storico della parlata della Matja, Atti del V Convegno internazionale di studi albanesi, Palermo, fq. 107-115


1969
Ajeti, Idriz (1960): Pamje historike e lëgjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, Prishtinë: Rilindja, në: Shêjzat V, fq. 270-272 Desnickaja, A. V. (1968): Albanskiji jazyk i evo dialekty, Leningrad, në: Shêjzat XIII, fq. 386 Gabinski, M. A. (1967): Vozniknovenije infinitiva kak vtoricnyj balkanskij jazykovoj process. Na materiale albanskovo jazika, Leningrad, në: Shêjzat XIII, fq. 386-87 Gjurmë të popullsisë shqiptare në Provincën e Piaçenzës, në: Shêjzat XIII, fq. 317-319 Gjurmime albanologjike I (1968), Prishtinë, në: Shêjzat XIII, fq. 124-125 Lehrbuch der albanischen Sprache, Wiesbaden


1970
Sprovë për gjetjen e kriterave në analizën e emnave të vendbanimeve, në: Shêjzat XIV, fq. 351-355


1971
Kuvend djalektologjik në Bressanone (14-16 shtatuer 1971), në: Shêjzat XV, fq. 215-217 La parlata albanese di Greci in provincia di Avellino, Firenze Vëllim syzimesh albanologjike në nder të atë Prof. Zef Valentinit dhe Prof. Ernest Koliqit, në: Shêjzat XV, fq. 329-331 Zur albanischen Mundart von Barile in der Provinz Potenza, në: Dissertationes Albanicae in honorem J. Valentini et E. Koliqi, XI, fq. 127-140


1972
Edizione critica, a cura di Çabej, Eqrem (1968): Il ‘Messale’ di Gjon Buzuku (1555), Vol. 1-2, Tiranë, në: Shêjzat XVI, fq. 284-85 Ein albanischer Satz aus dem Jahre 1483 (në bashkëpunim me L. Braun), në: Zeitschrift für vergleichende Sprachforschung 86, fq. 1-6


1973
Kellner, Heidrun (1972): Die albanische Minderheit in Sizilien, Wiesbaden: Otto Harrassowitz, në: Südost-Forschungen 32 Solano, Francesco (1972): Manuale di lingua albanese, Corigliano C., në: Shêjzat XVII, fq. 140-41


1974
Guzzetta, Antonino (1968, parte prima; 1973. parte seconda): Tracce della lingua albanese del secolo XV nella documentazione veneta dell’epoca, Palermo, në: Südost-Forschungen 33 Il bilinguismo nelle oasi linguistiche albanesi dell’Italia meridionale, në: Bilinguismo e diglossia in Italia. Atti del Convegno del Centro Studi per la Dialettologia italiana, Pisa, fq. 5-13


1975
Solano, Francesco (1972): Manuale di lingua albanese, Corigliano Calabro, në: Südost-Forschungen 34 Sprachresten der albanischen Mundart von Villa Badessa in der Provinz Pescara, në: Südosteuropa unter dem Halbmond, München, fq. 37-43


1976
Di Lena, Matteo Giorgio (1972): Gli albanesi di Montecilfone, Campobasso, në: Südost-Forschungen 35


1977
Cuneus Prophetarum a Petro Bogdano, Patavii, MDCLXXXV (Mit einem Beitrag von Giuseppe Valentini und Martin Camaj), München Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza, München [Albanische Forschungen, 16]


1978
Boretzky, Norbert (1975, Teil 1: Phonologie und Morphologie der albanischen Turzismen; 1976, Teil 2: Wörterbuch der albanischen Turzismen): Der türkische Einfluss auf das Albanische, Wiesbaden: Otto Harrassowitz Verlag, në: Kratylos Skok, Petar (1971-1974): Etimologijski rjecnik hrvatskoga ili srspkoga jezika, Knj. I/IV, Zagreb: Jugoslovenska Akademija Znanosti i Umjetnosti, në: Südost-Forschungen 37 Vier Briefe von Holger Pedersen an Gustav Meyer – Beiträge zur Geschichte der Albanologie, në: Münchner Zeitschrift für Balkankunde, fq. 71-79


1979
Una frase in arbëresh dell’anno 1483, në: Zjarri XI/ 26, fq. 22-24 1980 (1969): Arhiv za arbansku starinu, jezik i etnologie (Ured. H. Barić), Pristina: Albanoloski Institut u Pristini, në: Südost-Forschungen 39


1980
Eqrem Çabej (1908-1980), në: Zjarri XII/ 27, fq. 5-7


1981
Fjalët bjeshkë dhe vërri, në: Serta Balcanica-Orientalia Monacensia in honorem Rudolphi Trofenik, München, fq. 241-44


1982
Hetzer, Armin (a cura di) (1981): Das dreisprachige Wörterverzeichnis von Anastasiu Kavalliotis aus Moschopolis, gedruckt 1770 in Venedig, Hamburg: Helmut Buske Verlag, në: Südost-Forschungen 41


1983
Indirizzi di studi albanesi in Italia, në: Scritti linguistici in onore di Giovan Battista Pellegrini, Pisa, fq. 1315-19 Per una tipologia dell’arbëresh, në: Etnia albanese e minoranze linguistiche in Italia (a cura di Antonino Guzzetta). Atti del IX Congresso Internazionale di Studi Albanesi, Palermo, fq. 150-58


1984
Albanian Grammar with Exercises, Chrestomathy and Glossaries (Collaboration and translated by Leonard Fox), Wiesbaden: Harrassowitz On the Typology of the Dialects of Kosova, në: Studies on Kosova, New York [East European Monographs by Columbia University Press], fq. 55-62


1985
Cortelazzo, M. (1969: Vol. I; 1972: Vol. II): Avviamento critico allo studio della dialettologia italiana, Pisa: Pacini, në: Zjarri XVII/29, fq. 92-93


1986
Aspetti del plurilinguismo presso gli arbëresh d’America – prima parte, në: Zjarri XVIII/33, fq. 18-20 In memoriam: Gerhard Rohlfs (1892-1986), Zjarri XVIII/33, fq. 41-42


1987
Altimari, Francesco/ Bolognari, Mario/ Carrozza, Paolo (1986): L’esilio della parola. La minoranza linguistica albanese in Italia, Pisa: Pacini, në: Südost-Forschungen 46


1989
Aspetti del plurilinguismo presso gli arbëresh d’America – seconda parte, në: Zjarri XX/35, fq. 136-147


1990
Çështje të pazgjidhuna të shqipes, në: Albanica. A Quarterly Journal of Albanological Research and Criticism 1, fq. 132-137


1991
La parlata arbëreshe di San Costantino Albanese in provincia di Potenza, Rende


SUMMARY
Vëmendja në këtë shkrim përqendrohet mbi veprimtarinë shkencore të Martin CAMAJT në fushën e gjuhësisë, e cila analizohet në tre pjesë. Në të parën trajtohen studimet mbi gjuhën e shkruar shqipe dhe historinë e saj, brenda së cilës autorët përqendrohen më tepër në punimin Albanische Wortbildung (1964). Pjesa e dytë dhe më e gjerë i kushtohet studimeve dialektologjike të CAMAJT mbi arbërishten. Në kuadrin e saj analizohen në veçanti në mënyrë krahasuese përshkrimet e të dialekteve italoshqiptare të Katundit, Fallkunarës e Shën Kostandinit. Në pjesën e fundit vëmendja përqendrohet mbi librin Albanian grammar.


1 Ky punim përbën versionin e përshtatur shqip të artikullit me titull Das sprachwissenschaftliche Werk Martin CAMAJS, botuar në vitin 1991 në: Albanica. A Quarterly Journal of Albanological Research and Criticism 2, fq. 23-33.

2 Il „Messale“ di Gjon BUZUKU. Contributi linguistici allo studio della genesi, Roma: Università Gregoriana 1961.

3 Në: Studia albanica Monacensia. München 1967. fq. 68-75.

4 Në: Zeitschrift für Balkanologie 5 (1967). fq. 23-33. (në bashkëpunim me Peter BARTLIN).

5 Në: Zeitschrift für vergleichende Sprachforschung (KZ) 86 (1972). fq. 1-6.

6 Cuneus Prophetarum a Petro BOGDANO, Patavii, MDCLXXXV (Mit einem Beitrag von Giuseppe VALENTINI und Martin CAMAJ). München: Trofenik 1977.

7 Në: Communications et Rapports du I Congrès International de Dialectologie Générale. Louvain 1964. fq. 273-274.

8 "Ich bin" und "ich habe" im Albanischen, në: Beiträge zur Südosteuropa-Forschung, Mün¬chen: Trofenik 1966. fq. 41-47; Die albanischen Benennungen für den Kern der Baum-früchte, në: Münchener Studien zur Sprachwissenschaft, 1967. fq. 5-10.

9 Albanische Wortbildung. Wiesbaden: Harrassowitz 1966 (= Albanische Forschungen 6).

10 Në: Die Kultur Südosteuropas, ihre Geschichte und ihre Ausdrucksform. München, Wies¬baden 1964. fq. 18-25.

11 Në: Die Welt der Slaven 11 (1966). fq. 115-124.

12 Jotierung des albanischen gj und q (Zur Schichtung der lateinischen Lehnwörter im Albani¬schen). Në: Actes balkanologiques, Éditions de l'Académie Bulgare des Sciences 1968. fq. 837-840.

13 Në: Bilinguismo e diglossia in Italia. Pisa 1973. fq. 5-13.

14 Në: Etnia albanese e minoranze linguistiche in Italia, a cura di A. GUZZETTA. Palermo 1983. fq. 151-158.

15 Në: Dissertationes Albanicae. München 1971. fq. 127-140.

16 La parlata albanese di Greci in Provincia di Avellino. Firenze: Leo S. Olschki editore 1971.

17 Grammatik der albanischen Mundart von Salamis. Wiesbaden 1965.

18 Fjalt jona. Dizionario italiano-arbëresh di Greci, Grottaminarda: Delta 3 Editore, 2004.

19 Racconti popolari di Greci (Katundi) in Provincia di Avellino e di Barile (Barili) in Provin¬cia di Potenza, a cura di Martin CAMAJ. Roma: Università di Roma 1972.

20 Die albanische Mundart von Falconara Albanese in der Provinz Cosenza. München: Trofe¬nik 1977.

21 Në Fallkunarë këto forma hasen sidomos te rrënjët konsonantike në shumës, ndërsa në Katund, në të kundërt fenomeni kufizohet në rrënjët vokalike në njëjës dhe shumës.

22 La parlata arbëreshe di San Costantino Albanese in Provincia di Potenza. Cosenza: Univer¬sità della Calabria 1991 (në shtyp).

23 Albanian Grammar. With Exercises, Chrestomathy and Glossaries. Collaborated on and translated by Leonard FOX. Wiesbaden: Harrassowitz 1984.

24 Lista e botimeve gjuhësore të Martin CAMAJT, përgatitur prej Maria ZANNINIT është përshtatur sipas artikullit: ALTIMARI, Francesco (1991): Profilo bio-bibliografico di Martin Camaj, insigne figura dell’albanistica e della letteratura albanese contemporanea, në: Albanica. A Quarterly Journal of Albanological Research and Criticism, fq. 10-22.